Vilson Kilica, një nga krijuesit më të rëndësishëm të pikturës shqiptare, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare. Piktori u lind në qytetin e Fierit në vitin 1932 dhe studioi në Akademinë e Arteve në Leningrad. Pas diplomimit u kthye në vendlindje për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në kulturën dhe artin shqiptar.

Krijimtaria e tij nisi në vitin 1950, por zhvillimin kryesor e pati gjatë viteve të diktatures komuniste në Shqipëri. 40 vepra të piktorit janë pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe një pjesë tjetër e punimeve të tij i përkasin fondit të Galerisë së Arteve në Fier.

I pasur me veprat e tij është edhe koleksioni i familjes, ndërsa më shumë se 100 vepra të tij ndodhen në koleksione private në Itali, SHBA, Gjermani, Francë, Greqi, Spanjë, Norvegji, etj.

Kilica do të mbahet mend edhe si themeluesi dhe dekani i parë i Institutit të Arteve, duke luajtur rolin kryesor si organizator dhe përpilues i strukturës pedagogjike në këtë institucion, ndërsa krahas pedagogut të përgatitur dhe komunikues me studentët, Vilson Kilica ishte edhe një familjar i dashur.

Vilson Kilica është bashkautor i mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar.

Top Channel