Sala sjell “kujtimet e trupit”

08/07/2016 00:00

Anri Sala, një ndër artistët më të vlerësuar të skenës ndërkombëtare të artit bashkëkohor, ka prezantuar për herë të parë para publikut shqiptar, në “Art House” në Shkodër, një grup punimesh me titull “Memoriet e trupit”.

Në punimet e tij, Sala shfaq një interes të veçantë për gjestin, si reagim fizik ndaj situatave, por edhe si mjet komunikimi jogjuhësor. Sipas artistit, trupi i “mban mend” këto gjeste dhe ka aftësinë që t’i kujtojë në periudha të caktuara kohe.

“Është puna që e përçon këtë mesazh. Shkojnë shumë me idenë e mënyrës sesi trupi mban mend duke anashkaluar gjuhën si mjet komunikimi. E në këtë mënyrë, duke mos e lënë pjesën manipuluese të gjuhës për të përcjellë mesazhin. Punën më të mirë në këtë drejtim e bën trupi vet, duke mos përdorur gjuhën apo komunikimin verbal, por duke përcjellë një gjendje, një ndjesi apo një emocion drejtpërdrejt te publiku”, tha Anri Sala.

Anri Sala u lind në Tiranë, ndërsa aktivitetin e tij prej disa vitesh e zhvillon në Berlin. Ai është i njohur për publikun ndërkombëtar përmes ekspozitave të çelura në Nju Jork, Mynih, Kanada, si dhe për pjesëmarjen e tij në Bienalen e Venecias. Ai është fitues i çmimit “The Vincent Award 2014” në Holandë dhe fitues i Bienales së Venecias në kategorinë e artistëve të rinj në vitin 2001.

Top Channel