Obama: Britania, sërish kontribuese e rëndësishme e sigurisë europiane

08/07/2016 00:00

Nga Polonia, ku ndodhet për samitin e NATO-s, Barack Obama sqaroi se pret që Britania të vazhdojë të mbetet një kontribuese e rëndësishme e sigurisë europiane, e në të njëjtën kohë shprehu bindjen se ajo do ta pranojë një shkëputje të rregullt nga BE-ja.

Nuk kam asnjë dyshim se Londra do të jetë në vijimësi një prej anëtareve më të afta të aleancës, – u shpreh shefi i Shtëpisë së Bardhë, duke u përqëndruar pas kësaj te marrëdhëniet me bllokun.

“Kam besim të plotë se Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian do të bashkëpunojnë në mënyrë pragmatike e ndërvepruese për t’u siguruar që dalja nga blloku europian të jetë e organizuar dhe pa probleme. Askush nuk ka interes në negociata të zvarritura e kundërthënëse. Të gjithë duan të minimizojnë shqetësimet, ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja farkëtojnë mes tyre një marrëdhënie të re”, tha Obama.

Komente për këtë çështje pati dhe presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.

“Jemi të ndërgjegjshëm se pasojat gjeopolitike të ‘Brexit’-it mund të jenë shumë serioze. Ruajtja e marrëdhënieve më të ngushta të mundshme mes BE-së dhe Londrës është në interesin e europianëve dhe në atë të amerikanëve. Por është po kaq e rëndësishme t’i dërgohet sot një mesazh botës se ‘Brexit’, sado i trishtë të jetë, përbën thjesht një incident dhe jo fillimin e një procesi”, tha Donald Tusk.

Në një artikull të publikuar në gazetën “Financial Times”, Obama i bënte thirrje udhëheqësve të NATO-s të qëndrojnë të palëkundur përballë Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë, duke kujtuar se vota britanike për largim nga BE-ja nuk duhet ta dobësojë aleancën.

Top Channel