Ndihma për aftësinë e kufizuar, Klosi: Për personin, jo familjarët

08/07/2016 00:00

Personat me aftësi të kufizuara tashmë do të kenë një trajtim ndryshe. Ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi ka deklaruar se do të ndryshojë skema e vlerësimit për ata që përfitojnë pagesë financiare, në mënyrë që ajo të mos shkojë për mbajtjen e familjeve të personave me aftësi të kufizuara, por të kthehet në shërbim sipas nevojës së tyre.

“Një skemë që veç vlerësimit mjekësor ka edhe një vlerësim social e psikologjik të këtyre njerëzve, që këta të kenë mundësi të integrohen në jetën e përditshme, të jenë pjesë e vendeve të punës dhe e shoqërisë”, ka thënë Klosi.

Ministri ka propozuar që personat me aftësi të kufizuar të trajtohen që në moshë të vogël, pasi ka raste konkrete për të cilat trajtimet që në moshë të re, të specializuara, mund të sjellin ndryshim rrënjësor në jëtën e tyre.

Ndërkohë është gati baza me të dhëna për personat me aftësi të kufizuara, duke shmangur abuzimet e shumta që janë bërë deri më tani në emër të tyre.

Romët, protestë para bashkisë; kundërshtojnë prishjen e banesave

Dhjetëra përfaqësues të komunitetit rom, së bashku me fëmijët janë zhvendosur këtë të premte para dyerve të Bashkisë së Tiranës, në një protestë për prishjen e barrakave të vendosura buzë lumit. Projekti për ndërtimin e argjinaturës së lumit kërkon që barrakat e romëve të prishen.

Burime nga Bashkia e Tiranës thonë se këtyre familjeve u është ofruar të zhvendosen në qendrën tranzitore në Tufinë, si dhe të aplikojnë për banesa sociale ose bonus qiraje që u jepet familjeve në nevojë të cilat nuk kanë mundësi të paguajnë qiratë me çmimet e tregut, ku për këtë kategori një pjesë të saj e mbulon bashkia.

Por përfaqësuesit e komunitetit nuk pranojnë këtë ofertë dhe janë bërë pengesë për zbatimin e projektit.

Top Channel