Pastrimi, Veliaj në Verona: Edhe në Tiranë një kompani publike

08/07/2016 00:00

Në shtator Tirana do të nisë të pastrohet nga një ndërmarrje publike dhe jo më nga kompanite private. Në bashkëpunim me Bashkinë e Veronës në Itali, bashkia e kryeqytetit do të ngrejë këtë ndërmarrje për një Tiranë më të pastër.

“Qyteti i Veronës është qyteti më i pastër në Itali, por edhe qyteti me taksat më të ulëta. E gjithë kjo ndodh falë një kompanie publike. Pas 25 vitesh, kur kemi neoliberalizuar dhe privatizuar gjithçka, kemi kuptuar që disa gjëra qyteti mund t’i bëjë vetë. Në këtë rast, Bashkia e Tiranës dhe Bashkia e Veronës kanë krijuar një kompani publike për të bërë pastrimin e qytetit, diferencimin e mbetjeve në Tiranë, në mënyrë që ashtu siç Verona është qyteti më i pastër në Itali, të sigurohemi që Tirana të jetë qyteti më i pastër Ballkan”, ka deklaruar kryebashkiaku Erion Veliaj.

Por nuk do të jetë vetëm pastrimi që do të kryhet nga ndërmarrja publike, pasi shumë shpejt do të vijojë dhe me transportin.

“Sigurisht që ky është një hap i pare, dhe kemi interes që të futemi si fuqi e menaxhimit publik edhe në shërbime të tjera, edhe në transportin publik. Unë jam shumë i ndjeshëm ndaj faktit që transporti publik është përmirësuar, por është ende larg ambicies tonë dhe nuk besoj që do të jetë e largët dita ku pas çështjes së pastrimit të qytetit, ne të futemi me një kompani publike edhe në çështje të transportit edhe për të sfiduar operatorët privatë dhe për të treguar që gjithmonë do të ketë një konkurrencë”, ka thënë Veliaj.

Veliaj u takua me kryetarin e Bashkisë së Veronës, ku është rënë dakrod që në këtë ndërmarrje të përbashkët publike 51% të aksioneve do t’i kete Bashkia e Tiranës dhe 49% ajo e Veronës.

Top Channel