Sistem antiraketë në Kore, Kina kundërshton marrëveshjen me SHBA

08/07/2016 00:00

Shtetet e Bashkuara dhe Korea e Jugut arritën një marrëveshje mbi dislokimin e një sistemi shumë të diskutuar të mbrojtjes raketore në vazhdën e intensifikimit të kërcënimeve nga Korea e Veriut.

Qëllimi i zhvendosjes së sistemit THAAD do të jetë vetëm kundërvënia ndaj kërcënimeve të Penianit, thuhet në deklaratën e lëshuar me këtë rast, e cila nuk sqaron se ku do të vendoset ai saktësisht e kush do ta ketë kontrollin përfundimtar.

Kina, kundërshtare e ashpër e planit, ia shprehu pakënaqësinë e saj të derguarëve të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut.

Sistemi raketor, sipas Pekinit, do të cënojë paqen dhe stabilitetin në rajon, pavarësisht aftësisë së tij për të diktuar e rrëzuar raketat e Koresë së Veriut.

Sipas korrespondentëve të huaj, Kina druhet se radarët e këtij sistemi do të jenë në gjendje të regjistrojnë të dhëna deri brenda territorit të saj. Pekini, aleati më i ngushtë i Penianit, i mbështeti sanksionet e fundit të OKB-së pas testeve nukleare e atyre raketore të shtetit komunist.

Diskutimet mes Uashingtonit dhe Seulit për këtë çështje kishin nisur në fakt që në muajin shkurt, pasi Peniani lëshoi një raketë me rreze të gjatë veprimi.

Gjeneral lejtnant Thomas S. Vandal, komandant i trupave amerikane në Korenë e Jugut, i tha AFP-së se THAAD është i një rëndësie kyçe për strategjinë amerikane të mbrojtjes.

Këmbëngulja e Koresë së Veriut për të zhvilluar armë të shkatërrimit në masë, u shpreh ai, e bën të domosdoshëm garantimin e aleatëve se dhe ata mund të vetëmbrohen.

Top Channel