Evropa përulet përballë “Bluve”

08/07/2016 00:00

Franca shënoi një fitore historike ndaj Gjermanisë në gjysmëfinalet e “Euro 2016”, teksa mundi kampionët e botës 2-0 falë dygolëshit të Griezmann. Entuziazmi në median franceze për skuadrën e Deschamps ishte në nivele të larta dhe këtë e tregon edhe faqja e parë e “L’Equipe”. “Ekstazë”, shkruhet te kjo e përditshme,Gjermani-Francë 0-2.

“Në një ndeshje të paharruar, “Blutë” më në fund fituan ndaj Gjermanisë në një turne madhor. Fitorja e parë që nga viti 1958. Përballja me Portugalinë të dielën në St.Denis”, shton “L’Equipe”.

Ndërsa “France Football” publikon: “Blutë kanë finalen e tyre. Franca mundi Gjermaninë falë një dygolëshi të Antoine Griezmann dhe do të përballet me Portugalinë në finale”. Te “Le Parisien” lexohet: “Blutë kalojnë Gjermaninë 2-0, kurse “Le Monde” thekson: “Blutë prishin mallkimin gjerman”.

Në Gjermani, “Bild” bën lojë fjalësh me mbiemrin e Schweinsteiger: Weini!, shkruhet te kjo e përditshme, që vë kapitenin në bankën e të akuzuarve për shkak të penalltisë së shkaktuar në fund të pjesës së parë. “Kicker” shkruan: “Dygolëshi i Griezmann kthen Gjermaninë në shtëpi”. “Suddeutsche Zeitung” publikon artikullin: “Te Gjermania mungoi prekja gjeniale për të shënuar”.

Edhe në Spanjë, fitorja e Francës ka gjetur faqen kryesore të të përditshmeve të këtij vendi. “AS” shkruan: “Griezmann hero kombëtar”, ndërsa te “Marca” lexohet: “Griezmanix! Goleadori ndëshkoi Gjermaninë dhe dërgoi Francën në finale të Evropianit”. Në Itali, “La Gazzetta Dello sport” shkruan: “Griezmann shënon 2 herë dhe çon Deschamps në finale, kurse “Corriere dello Sport” publikon: “Gjermani-Francë 0-2, Griezmann show, “Blutë” në finale”.

Top Channel