PD, Paloka: Rama të bëjë transparencë për foton me Obamën

08/07/2016 00:00

Partia Demokratike u është rikthyer këtë të premte akuzave ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me financimin e fotos me presidentin amerikan Barack Obama kur ai ishte në opozitë.

“Prej një jave Edi Rama gjendet nën akuzë se ka financuar një krim federal në Amerikë dhe ai nuk jep asnjë shpjegim”, ka deklaruar nënkryetari i PD, Edi Paloka në një deklaratë për mediat.

Sipas tij, taksisti nga Nju Xhersi e ka pranuar se 80 mijë dollarëshi që ka paguar në fushatën e Obamës për t’i mundësuar Ramës një takim dhe një foto me presidentin amerikan i ka ardhur nga jashtë, nga një burim i huaj nga Shqipëria.

“Edi Rama është nën detyrim të bëjë transparencë se nga dolën këto para. Kush është burimi i tyre? Dyshimet janë për para droge ose aktiviteti kriminal, çka e rëndon edhe më shumë pozitën e Edi Ramës në këtë skandal. Nëse ato janë para droge dhe trafiqesh, paratë e atyre trafikantëve me të cilët Rama erdhi në pushtet, atëherë kemi të bëjmë me një krim edhe më të madh dhe çështja duhet zbardhur sa më shpejt”, ka thënë Paloka.

Ai ka theksuar se, Rama është përfituesi i drejtpërdrejtë i 80 mijë dollarëshit që u pagua nga një burim i huaj.

“Dhe është ai që duhet të përgjigjet: nga vijnë këto para? Kush është burimi? Kush është pagatori, kush është ky donator i Edi Ramës? A janë para të ligjshme, apo të aktiviteteve kriminale? Sa më shumë struk kokën e nuk përgjigjet për këto pyetje, aq më shumë rëndohet akuza ndaj tij, aq më shumë bëhet e besueshme se Edi Rama financoi një krim federal në amerikë me para të pisëta”, ka shtuar Paloka në komunikimin me mediat.

Top Channel