Kapshticë, ndalohet 1 shtetas për kontrabandë; procedohen 2 doganierë

08/07/2016 10:05

Antikontrabanda ka bllokuar në segmentin Kapshticë – Korçë një mjet me mallra të padeklaruar nga Greqia.

Dy doganierë të Doganës së Kapshticës janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre, pasi lejuan shtetasin Jorgo Liço të kalonte kontrabandë mallra të ndryshme ushqimore. Vetë shtetasi Jorgo Liço, 48 vjeç, banues në Korçë, u arrestua në flagrancë.

Ndalimi i tij u bë pasi, mbrëmjen e së dielës, Grupi i Antikontrabandës, i ndodhur në aksin rrugor Kapshticë – Korçë, ushtroi kontroll në automjetin e shtetasit Jorgo Liço, me targë AA927BH dhe konstatoi një sasi mallrash mbi vlerën e lejuar, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar tek autoritetet doganore në Kapshticë. Ndaj tij rëndon vepra penale “Kontrabandë me mallra të tjera”.

Në vijim të hetimeve të kryera lidhur me këtë rast, filloi procedimi penal në gjendje të lirë edhe për shtetasit E.Ç, 37 vjeç, banues në Tiranë, si edhe L. K, 57 vjeç, banues në fshatin Sovjan (Korçë), të dy me detyrë doganierë në Doganën e Kapshticës. Dyshohet se  këta punonjës nuk kanë ushtruar kontroll në automjetin e shtetasit të lartpërmendur, duke shpërdoruar kështu detyrën.

Top Channel