Racizmi ndez dhunën në SHBA. Vriten nga snajperë 5 policë në Dallas

08/07/2016 08:20

Pesë efektivë policie u qëlluan për vdekje nga snajperë në Dallas të Teksasit, gjatë një proteste kundër vrasjes së njerëzve me ngjyrë prej forcave të rendit në vend. Demonstratën e nxitën vdekjet e Philando Castile në Minnesota dhe Alton Sterling në Louisiana.

Nga të shtënat mbetën të plagosur 6 efektivë të tjerë, një pjesë e të cilëve janë në gjendje kritike për jetën. Tre të dyshuar u vunë në pranga e një person, i cili u përfshi në një shkëmbim të ashpër zjarri me forcat e policisë, duket ka preferuar të mos dorëzohet dhe vrau veten.

Sipas shefit të policisë së Dallasit, burri ishte rrethuar në një parking makinash. Negociatorëve ai u ka thënë se “po vjen fundi” dhe se do të sulmonte efektivë të tjerë, pasi vendi ishte i mbushur me bomba.

Protesta e Dallasit ishte një prej tubimeve të ngjashme të zhvilluar në mbarë Shtetet e Bashkuara kundër përdorimit të forcës vdekjeprurëse të policisë ndaj afro-amerikanëve. Philando Castile u qëllua për vdekje në makinën e tij, pasi e kishin ndaluar për një stop të thyer, ndërsa Alton Sterling e vranë edhe pse ishte i shtrirë në tokë e pa armë në dorë.

Të dyja rastet u filmuan, e pamjet e tyre rindezën edhe më fort atë që tashmë është kthyer në një debat kombëtar. Vet Presidenti Obama u shpreh se të gjithë njerëzit mendjehapur duhet të shqetësohen për shpeshtësinë e vrasjeve të personave me ngjyrë nga policia.

Duke cituar statistikat që tregojnë se, gjasat që afro-amerikanët të qëllohen nga forcat e rendit janë më të mëdha se ato të të bardhëve, presidenti kërkoi që agjencitë e zbatimit të ligjit të çrrënjosin paragjykimet e brendshme.

Kur ndodhin gjëra të tilla, – kujtoi Obama, – shumë prej qytetarëve tanë ndiejnë se shkaku është ngjyra e tyre e lëkurës, se nuk po trajtohen njësoj si të tjerët, e kjo është e dhimbshme.

Vdekjet e Michael Brown, Eric Garner, Walter Scott dhe Freddie Gray janë – sipas disave, – dëshmia e qartë e problemeve të hershme të racizmit policor në Amerikë e dhunës së tepruar. Aktivistët llogarisin që vetëm në vitin 2014 të jenë vrarë 1.149 persona të të gjitha grupeve etnike në vend.

Më i riu ishte 12 vjeç, më i moshuari 65 vjeç. 100 prej tyre nuk kanë qenë fare të armatosur. Seth Stoughton, i cili ka shërbyer dikur në forcat e policisë e që sot është pedagog juridiku në Universitetin e Karolinës së Jugut, thotë se kultura e të “fortit” ka kontribuar në disa vdekje që në fakt ishin mëse të shmangshme.

Rrënjët e saj janë që në videot e rekrutimit, ku policët shihen duke rrokur armët, duke veshur mbrojtëse trupi të rënda e duke përdorur forcën. Policët, – thotë ai, – mësohen të kenë frikë sepse profesioni që kanë zgjedhur është tmerrësisht i rrezikshëm. Trajnimi i tyre përfshin 60 orë vetëmbrojtje e 60 orë të tjera mësohen si të përdorin forcë vdekjeprurëse.

Top Channel