Plazhet pa roje, “baywatch”-ët  u trajnuan, por mbetën pa punë

07/07/2016 00:00

Rreth 40 të rinj dhe të reja u trajnuan dhe certifikuan dy vitet e shkuara në Mal të Zi, për të qenë “baywatchet” e parë shqiptarë.

Qeveria, përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, nisi vendosjen e kullave të vrojtimit dhe pajisjen e tyre me rojet e plazhit, që do të mbronin pushuesit nga incidentet dhe do të rrisnin sigurinë në plazhe. Por dy vite më pas, përgjatë vijës bregdetare shqiptare nga derdhja e Bunës në Ksamil nuk ka asnjë roje plazhi, ndërsa kullat e vrojtimit kanë mbetur të boshatisura.

“Kulla ekziston, por rojet nuk janë. Vetëm nëse mund të qëndrojnë në ndonjë tjetër vend. Prindi mund të kujdeset për fëmijën, por mund të jetë një moment që ai mund të futet në ujë dhe mund t’i ikë nga vëmendja”, shprehen pushuesit.

Edhe se sezoni turistik veror nuk është ende në pikun e tij, në plazhe janë shënuar incidente ku disa persona kanë humbur jetën duke u larë në det.     

Top Channel