Lista e vendeve të sigurta, BE planifikon të unifikojë klasifikimin

07/07/2016 00:00

Lista e ardhshme e BE-së për vendet e origjinës së sigurtë, që supozohet të ndihmojë vendet anëtare t’i procesojnë disa aplikime më shpejt se të tjerat, duhet të zëvendësojë listat aktuale kombëtare pas një periudhe tranzitore trevjeçare.

Ligjvënësit e Komisionit të Lirive Qytetare në Parlamentin Europian ranë dakord për një lëvizje të tillë në seancën e sotme të tij. Komisioni Europian do të japë vlerësimin e vet se cilat vende duhen përfshirë, hequr apo pezulluar përkohësisht nga lista.

“U ndeshëm me sfidën e hartimit të një drafti, i cili të jetë pragmatik e në të njëjtën kohë ambicioz”, tha pas votimit raportuesja e parlamentit, Sylvie Guillame. “Harmonizimin arritëm ta siguronim duke eliminuar listat kombëtare brenda 3 vitesh, në mënyrë të zbutur e të organizuar. Në rast përkeqësimi të menjëhershëm të situatës në një vend të cilësuar si të origjinës së sigurtë, kemi menduar për një proces sa më të shpejtë e fleksibël që të jetë e mundur”, shtoi ajo.

Guillaume e bëri të qartë se përdorimi i këtij koncepti nuk duhet në asnjë mënyrë të përjashtojë detyrimin e kryerjes së shqyrtimit individual të aplikimeve më me rëndësi për azil, ku të përfshihej një intervistë personale për aplikantin.

Metodologjia e përcaktimit të një vendi si i origjinës së sigurtë apo rishikimit të këtij statusi, është përmirësuar ndjeshëm. Një proces konsultimi iu lejon tani palëve të treta, si UNHCR-së apo NGO-ve, pjesëmarrjen në detyrën e komisionit për monitorimin e listës së përbashkët të BE-së, vazhdon ajo.

Top Channel