“Ballkan”, goditet grupi i trafikut të drogës; 14 të arrestuar në Shqipëri

07/07/2016 00:00

Të paktën 30 persona janë vënë në pranga dhe 23 të tjerë janë shpallur në kërkim pas një operacioni policor ndërkombëtar kundër trafikut të lëndëve narkotike i shtrirë në Shqipëri, Kosovë, Greqi, Maqedoni, Bullgari, Turqi dhe Itali.

14 persona janë arrestuar në Shqipëri, mes tyre edhe 3 biznesmenë në fushën e ndërtimit, si dhe pronari i një hoteli lukzoz në Vlorë.

Operacioni i koduar “Ballkan” është kryer në bashkëpunim me DEA-n amerikane, ndërsa nga hetimet ka rezultuar se linja e tranportimit të drogës ishte Turqi-Kosovë-Shqipëri e më pas dërgohej në Greqi ose në vendet e tjera të BE-së.

Detajet e operacionit u dhanë në një konferencë për shtyp nga nëndrejtori i përgjithshëm i policisë, Ardian Çipa dhe drejtuesi i Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besim Hajdarmataj. Ky i fundit tha se të gjithë personat e arrestuar do t’i nënshtrohen hetimit pasuror në bazë të ligjit Antimafia.

Po ashtu, policitë e vendeve të lartëpërmendura kanë sekuestruar 26 kg heroinë, 1.8 kg kokainë, 183 kg kanabis si dhe armë dhe një shumë të konsiderueshme parash.

Top Channel