Gjermania apo Franca? Portugalia pret kundërshtarin

07/07/2016 00:00

Në “Velodrome” të Marsejës do të luhet gjysmëfinalja e dytë e këtij Evropiani: ajo mes Gjermanisë dhe Francës. Skuadra e vendit organizator do të kërkojë që të përsërisë historinë dhe të triumfojë në këtë ngjarje, siç bëri në Evropianin e vitit 1984 dhe Botërorin e vitit 1998, ndërsa Gjermania do të kërkojë një tjetër trofe pas Kupës së Botës të fituar në Brazil.

Do të jetë një ndeshje e madhe mes dy skuadrave që i kanë dhënë tonin futbollit të Kontinentit të Vjetër. Franca ishte bindëse në fitoren ndaj Islandës dhe kjo e ka rritur ndjeshëm moralin në skuadër dhe entuziazmin te tifozeria e saj. Antoine Griezmann është njeriu i momentit te Franca, i cilësuar si “princi me fytyrë fëmije”. Sulmuesi i Atletico Madrid është ai që po shkëlqen te transalpinët me 4 golat e shënuar deri tani në këtë Evropian. Deschamps e kuptoi në kohë se cili është pozicioni i duhur në fushë i 25-vjeçarit dhe e ndryshoi skemën e tij. Sistemi 4-2-3-1 është ai që i përshtatet më shumë lojës së Greizmann. Franca do të ketë të gjithë futbollistët në dispozicion, duke qenë se i kthehen edhe Rami e Kante nga skualifikimi.

Në krahun tjetër është Gjermania, një “mace e zezë” e Francës. Transalpinët nuk kanë fituar asnjë ndeshje zyrtare me “panzer”-at që nga viti 1958 në fazën e “playoff”-it të atij viti. Pas zhgënjimit të fundit në Botërorin 2014, francezët do të kërkojnë të thyejnë tabunë pikërisht këtë mbrëmje në Marsejë. Griezmann do të ketë detyrën që të kalojë murin gjerman me emrin Manuel Neuer, një mision ky që duket si në kufijtë e së pamundurës.

Gjermania, që luan gjysmëfinalen e saj të nëntë në 15 edicione të Evropianit, do të bëjë disa ndryshime në këtë ndeshje. Mungesat e Hummels (i skualifikuar) dhe Khedira e Gomez (për arsye dëmtimi) e kanë vënë në mendime të thella trajnerin Joachim Loë. Në dritë dalin emrat e Sane, Kimich dhe Draxler. Tek ata do të besojë Gjermania për të fituar dhe tentuar trofeun e dytë radhazi. Nëse e lë jashtë Francën, atëherë do t’i afrohet akoma më shumë objektivit.

Top Channel