Ministrja Gjosha në Hagë: Të vendosur të avancojmë me axhendën e integrimit

07/07/2016 00:00

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, zhvilloi në Hagë të Holandës një takim me Robert De Groot, Drejtor për Integrimin Europian në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Hollandës. Gjithashtu, ministrja takoi edhe Daphne Bergasma, Drejtoreshë e Departamentit të Europës në Ministrinë e Punëve te Jashtme.

Gjatë këtij takimi, Gjosha vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe rishprehu falenderimet për mbështetjen që Holanda i dha Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Ministrja u shpreh se pavarësisht sfidave që po kalon sot Europa, Shqipëria është e angazhuar maksimalisht të përparojë me axhendën e saj të integrimit.

“Për ne procesi ka qenë para së gjithash shtysë e fortë në konsolidimin e demokracisë, ndaj jemi të vendosur për të përmbushur të gjitha detyrimet tona, në mënyrë që të hedhim një tjetër hap përpara. Ne besojmë tek fuqia transformuese e projektit europian”, tha Ministrja Gjosha.

Reforma në drejtësi ishte një pikë e rëndësishme diskutimi gjatë takimit. Ministrja e informoi De Groot me hapat që janë hedhur për kryerjen e kësaj reforme, duke nënvizuar se me miratimin e saj Shqipërisë do t’i ndizej drita jeshile për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Në fokus të bisedimeve ishte edhe Samiti i Parisit, i cili solli miratimin e disa projekteve infrastrukturore dhe ndërlidhëse për Ballkanin Perëndimor.
Ministrja Gjosha u shpreh se sa më i thelluar të jetë bashkëpunimi mes vendeve aq me e shpejtë do të jetë rruga e integrimit. “Siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është gjithashtu siguri për vetë Europën e Bashkuar, ku këto vende aspirojnë të hyjnë”, tha Ministrja Gjosha.

De Groot u shpreh se mënyra më e mirë për të avancuar me procesin e integrimit janë rezultatet e reformave të një vendi.

Top Channel