Maks Velo në Wendey Museum të LA

06/07/2016 00:00

Maks Velo është i pari piktor shqiptar veprat e të cilit janë pjesë e një koleksioni në një muze ndërkombëtar. Wendey Museum në Los Anxheles ka ciklin e tij të vizatimeve në harkun kohor 1989-93, “Kujtesa të dhomës së burgut të Spaçit”, vepra që shprehin dhimbje e hakmarrje njëkohësisht.

“Kjo ishte si një rezervuar i dhimbjes, i një gjëje të tmerrshme, që unë doja ta nxirrja, e nxorra dhe pastaj shpëtova. Plotësova një koleksion prej 30 veprash që ia dhashë dhuratë muzeut”, shprehet Velo.

Kjo ishte një mënyrë e artistit për t’u hakmarrë. Ai donte t’i tregonte botës çfarë ishte diktatura në Shqipëri. “Kjo ishte mënyra ime e hakmarrjes. Doja të tregoja ja çfarë jeni ju, ja çfarë jeni para botës dhe këtë e arrita”, thotë artisti.

Kjo punë është një kujtesë historike, që përcjell dhunën psikologjike dhe fizike deri në shpërfytyrim nga pushteti shtypës. Por sipas Donna Stein, drejtores së Wendey Museum, këto vizatime janë një mënyrë sesi publiku amerikan duhet të kuptojë një dëshmi që i vlen historisë.

“Se unë doja ta bëja gjithmonë Enver Hoxhën, por ishte problemi si do ta bëja. Ai arriti të jetë mbreti i vdekjes, i së keqes, i krimit e i Spaçit. Këtë i dhash, i dhash kurorën e vdekjes, skeptrin dhe tmerrin e qënies së një kufome”, tregon më tej Velo.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel