Tiranë, Këshilli Bashkiak miraton dhënien e 177 banesave sociale

06/07/2016 00:00

Këshilli bashkiak i Tiranës, i mbledhur pasditen sotme ka vendosur me votat e mazhorancës dhe opozitës dhënien e banesave sociale për mbi 170 familje, si dhe 76 bonuse qiraje.

Ka qenë vetë kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili që në fillim të seancës bëri thirrje për miratimin e 177 kërkesave për banesa sociale, veçanërisht në zonën e Shkozës.

“695 familje kanë aplikuar në total. U është dhënë prioritet familjeve të komunitet rom dhe egjiptian dhe familjeve me anëtarë invalidë dhe me ndihmë ekonomike”, tha Veliaj.

Ndër të tjera, Veliaj vlerësoi si në rrugën e duhur projektet e ndërmarra deri tani nga bashkia e drejtuar prej tij. Duke u ndaluar tek arritjet e vitit të parë të drejtimit, Veliaj e vuri theksin tek nisma për rikonstruksionin e të gjitha kopshteve dhe çerdheve në kryeqytet.

Ai vlerësoi gjithashtu investimin e bashkisë në ndërtimin e parqeve të lojërave për fëmijët e kryeqytetit, deri më tani tërësisht të munguara, sipas tij. Veliaj cilësoi parkun tek Liqeni, që u kthye në një mollë sherri me shoqërinë civile, si më të mirin në rajon.

Top Channel