Reforma në drejtësi, Victoria Nuland të dielën në Tiranë

06/07/2016 00:00

Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Victoria Nuland viziton të dielën Tiranën, si pjesë e turit të saj ballkanas.

Në kryeqytetin shqiptar zonja Nuland do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të qeverisë, krerë të partive politike por edhe me përfaqësues të shoqërisë civile. Në fokus të takimeve do të jetë reforma në drejtësi që ende mban të mbërthyera palët politike.

Zyrtarja e lartë shoqëroi sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, gjatë vizitës së tij në Tiranë pak muaj më parë, ndërsa “porositë” e saj për miratimin sa më parë të një reforme gjithëpërfshirëse e cilësore ia ka lënë klasës politike edhe gjatë vizitës së një viti më parë.

Javët e fundit nënsekretarja amerikane e Shtetit ka qenë në kontakte intensive me opozitën shqiptare, ku gjatë bisedave telefonike me kryetarin demokrat Lulzim Basha dhe ish-kryeministrin Berisha është njohur me çështjet e mbetura ende pezull dhe propozimet e PD.

E kur vetëm pak ditë kanë mbetur nga votimi i draftit në Parlament, zonja Nuland pritet t’i drejtohet klasës politike me një mesazh të qartë.

Top Channel