Dhuratën më të mirë në ditën e fundit të vizitës së tij në Kinë, kryeministri grek Aleksis Tsipras e ka marrë në qytetin me portin më të madh vendit, Shangaj.

Duke vazhduar marshimin në Ballkan, gjigandi COSCO nëpërmjet presidentit të tij ka deklaruar se do të investojë edhe 500 milionë euro në portin grek të Pireut, perveç 350 milionëve që do të paguajë për blerjen e 67% të aksioneve të këtij kompleksi.

Shumica e investimeve me vlerë 200 mln euro do shkojnë për rikonstruktimin e portit, që të presë edhe anijet e mëdha turistike me 4.000 pasagjerë, në mënyrë që të rritet numri i turistëve të këtyre anijeve në 3 milionë në vit.

Një pjesë e investimeve do të përdoret për rikonstruktimin e zonës së ngarkim-shkarkimit të mallrave, duke rritur numrin e konteinerëve që mbërrijnë në këtë port deri në 10 mln në vit dhe  duke e kthyer Pireun në portin më të madh të Mesdheut.

Siç ka theksuar kryeministri grek në takimet që ka pasur edhe me krerët e disa prej kompanive më të mëdha vendase, si Ali Baba, ZTE dhe Fosun, Greqia me investimet kineze do të shndërrohet në një urë midis Kinës dhe botës perëndimore.

Me investimet e reja nga COSCO, por edhe nga kompanitë e tjera kineze është mëse e qartë se Kina synon të bëhet një faktor gjeopolitik në rajonin e Mesdheut dhe sidomos në Ballkan, ku për vite me durim dhe plane kërkon të depërtojë në infrastrukturë dhe tregti.

Blerja e një pjese të mirë të porteve greke, propozimet e saj per Serbinë dhe Maqedoninë për përmirësimin e rrjeteve hekurudhore, por edhe blerja e aeroportit të Tiranës dhe Bankers Petroleum, që operon në tregun e naftës në Shqipëri, shtuar këtu interesin për burimet energjitike dhe sidomos për hidrocentralet shqiptare, janë tregues i strategjisë kineze që kërkon të bëhet një pol i fuqishëm duke thyer hegjemoninë e SHBA dhe Gjermanisë në Ballkan.

Top Channel