Edhe Kosova pjesë e rezolutës për gratë, paqen dhe sigurinë

06/07/2016 00:00

Ambasadorja Marriët Schuurman, përfaqësuese speciale e NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka ftuar Igballe Rogovën, drejtore ekzekutive e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës, për të qenë anëtare e panelit këshillues të shoqërisë civile të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili është krijuar rishtazi.

Në një njoftim për mediet thuhet se ky panel ka si synim “të përfshihet në një dialog më sistematik dhe të rregullt me shoqërinë civile në fushën e Grave, Paqes dhe Sigurisë”, në mënyrë që NATO “të ketë mundësinë të përfitojë nga ekspertiza e vlefshme dhe njohuritë që shumë organizata të shoqërisë civile dhe ekspertë individualë kanë zhvilluar në këtë fushë”, tha ambasadorja Schuurman në letrën e saj.

“Përmes kontributit dhe rekomandimeve nga shoqëria civile, ne shpresojmë të rrisim zbatimin e politikës mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të cilën 28 aleatët dhe 27 partnerët e NATO-s e kanë adoptuar në vitin 2014. Prandaj ne dëshirojmë të forcojmë kontributin e NATO-s te komuniteti ndërkombëtar për zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit dhe rezoluta të ngjajshme të adoptuara nga Këshilli i Sigurimit”, thuhej më tutje në letër.

Aty thuhej gjithashtu se përzgjedhja e Rogovës është bazuar në rekomandimet e marra nga kombet dhe organizatat ndërkombëtare.

“Paneli Këshillues i Shoqërisë Civile përbëhet nga dy grupe, ‘grupi kryesor’ i personave të shoqërisë civile që marrin pjesë personalisht dhe ‘grupi i OJQ-ve’, ku secila përzgjedh një person për të përfaqësuar secilën OJQ në panel. Rogova do të jetë anëtare e grupit kryesor. Takimi i parë vjetor planifikohet të mbahet në mes të muajit tetor”, thuhet më tej në njoftim.

“E adoptuar më 31 tetor të vitin 2000, Rezoluta 1325 thekson rolin e rëndësishëm që gratë kanë në parandalimin dhe zgjidhjen e konfliktit, shpërndarjen e ndihmës humanitare, ndërtimin e paqes, bisedimet për paqen, ruajtjen e paqes dhe në pajtimin gjatë kohës së paskonfliktit. Duke marrë parasysh këtë, rezoluta prek rëndësinë e pjesëmarrjes së barabartë të grave në proceset lidhur me paqen dhe sigurinë, si dhe inkurajon të gjithë aktorët që të sigurojnë pjesëmarrjen e grave. Kjo rezolutë nxit gjithashtu të gjithë aktorët e përfshirë në vendet në konflikt, të mbrojnë gratë dhe vajzat nga dhuna në baza gjinore, përfshirë dhunimin dhe dhunën seksuale”, vazhdon njoftimi.

Top Channel