Kosovë, të enjten shkatërrohen mbi 2.382 armë të lehta

06/07/2016 00:00

Kosova do t’i bashkohet të enjten Ditës ndërkombëtare për Shkatërrimin e Armëve të lehta si çdo vit.

Me mbështetjen e Zyrës së Jashtme gjermane dhe Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, Kosova do të marrë pjesë në këtë ngjarje rajonale duke shkatërruar mbi 2.382 armë të vogla dhe të lehta (AVL), përkatësisht 888 armë të shkurtra dhe 1.494 armë të gjata zjarri, si dhe mijëra pjesë të tyre.

Në ceremoninë e shkatërrimit të armëve, që do mbahet të enjten, do të marrin pjesë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, zëvendëspërfaqësuesja rezidente e UNDP-së, Alessandra Roccasalvo, përfaqësuesja nga Ambasada gjermane në Kosovë, Henriette Kötter, dhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha.

“Ngjarja e shkatërrimit të armëve do të përdoret  edhe për lançimin e fushatës ‘Festo me zemër dhe jo me armë’ për zvogëlimin/parandalimin e zjarrit festiv, që është një bashkëpunim me UNDP-SEESAC, e që mbështetet nga Bashkimi Europian. Armët e shënjuara për shkatërrim janë konfiskuar nga Policia e Kosovës gjatë punës së tyre për hetimin e krimeve”, thuhet në një njoftim për media të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ceremonia mbahet në Janjevë duke filluar nga ora 10:00.

Top Channel