Në “mbretërinë” e Airport Partners, TIA bllokon policinë dhe kamerën e TCH

06/07/2016 00:00

Gardhi i Aeroportit të Rinasit, edhe pse në territor shqiptar, ndan përgjegjësinë për sigurinë mes shtetit dhe një kompanie private. Brenda tij shtrihet aeroporti dhe çdo gjë që ndodh aty është përgjegjësi e një kompanie private të quajtur “ICTS”, ndërsa jashtë është Policia e Shtetit që përgjigjet.

Gjashtë ditë pas supergrabitjes nuk është marrë ende asnjë masë shtesë sigurie, përveç atyre të policisë, e cila ka ngritur postblloqe. Agjentë të “ICTS”-së janë shfaqur gjatë ditës në aeroport për të riparë parametrat e sigurisë.

“Pjesa e brendshme ende nuk ka bërë një kërkesë mbështetjeje sipas Kodit ajror, sipas të cilit duhet të paraqesë disa masa shtesë, duke kërkuar edhe policinë që të jetë e pranishme. Siç e shikoni janë edhe grupet e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, që po sigurojnë portën nga ku nisi ngjarja e ndodhur, pasi elementët janë po ata që kanë qenë edhe ditën e ngjarjes, të pandryshuar. Po ashtu edhe në një tjetër pikë hyrëse”, tha Ermal Milori, shef i Komisariatit të Rinasit.

Sipas të dhënave të prokurorisë, grabitësit e kanë kryer goditjen aq të qetë sa kanë pasur kohë jo vetëm për të këputur çelësin e portës, por edhe për t’i vendosur asaj një barrierë që të mos mbyllej në kthim. Por përveç elementëve të sigurisë, çfarë tjetër nuk funksionoi gjatë atyre 3 minutave të grabitjes?

“Ne njoftimin e kemi marrë nga Operatori i Menaxhimit të Aeroportit. Ndërkohë që duhet ta kishim marrë drejtpërdrejt nga ICTS-ja për ngjarje kriminale. ICTS-ja duhej të kishte njoftuar menjëherë që kishte thyerje të perimetrit të aeroportit”, tha më tej Ermal Milori.

Shefi i Komisariatit të Rinasit lë të hapur mundësinë për ndryshimin e kushteve të sigurisë së aeroportit.

“Unë mund të them vetëm që do të kërkohet dhe duhet të ndryshojnë”, deklaroi Milori.

Në përpjekje për të zbardhur rrëmbimin e 960 mijë eurove, prokuroria i ka dërguar urdhërsekuestrimi të dokumentacionit bankës, të cilës iu grabit valuta monetare, si dhe kompanisë “Nazeri”, e cila siguronte transportimin e tyre.

Top Channel