“Brexit” frenon zgjerimin. FT: Optimizëm, por BE është me kokë në rërë

06/07/2016 00:00

“Vendimi i Britanisë për shkëputje nga Bashkimi Europian nuk ndryshon asgjë lidhur me angazhimet e bëra ndaj vendeve të Ballkanit”, do të deklaronte në Paris Presidenti Francois Hollande, e të së njëjtës linjë ishin edhe krerët e tjerë të bllokut në garancitë e dhëna rajonit për një të ardhme në BE.

Vet komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn u kujdes të sqaronte se “Brexit”-i nuk nënkupton fundin e shtrirjes së bllokut, sidomos në Ballkanin Perëndimor. Përkundrazi, – tha ai, – ka arsye shumë të mira për t’u zgjeruar dhe unë, së bashku me Komisionin Europian jemi të vendosur ta bëjmë një gjë të tillë.

Por pavarësisht mohimit këmbëngulës të zyrtarëve europianë, – shkruan “Financial Times”, – rezultati i referendumit britanik përbën një sfidë serioze për ekspansionin e ardhshëm të bllokut, e kjo jo vetëm në raport me kandidatët ekzistues si Serbia, Shqipëria, Mali i Zi e Turqia, por edhe për aspirantët në periudhën afatgjatë, si Ukraina.

Britania, – shkruan gazeta prestigjioze, – ka qenë një mbështetëse e hershme e shtrirjes së bllokut në zonat ish-komuniste të Europës Qendrore e Lindore, edhe pse shumë nga anëtarët e tjerë të Bashkimit Europian e kanë humbur oreksin për zgjerim. Dalja e saj nga blloku do ta bënte edhe më të papëlqyeshëm zgjerimin për shtetet e mbetura donatore të BE-së, sepse do të rriste koston e këtij procesi.

“Është e qartë se i gjithë projekti i zgjerimit, për momentin është i fjetur. BE-ja me 27 anëtarë e ka kokën të zhytur në rërë”, tha Timothy Ash, strategjist “Nomura”.

Edhe nëse zgjerimi nuk bllokohet plotësisht, – vazhdon “Financial Times”, – përkrahësit e tij druhen se BE-ja mund të përfshihet aq shumë me negociatat e “Brexit”-it, sa pak kohë dhe energji do t’i mbetet për t’iua kushtuar bisedimeve të anëtarësimit me vendet kandidate e përpjekjeve për përgatitjen e tyre.

Top Channel