PD: Formulë të re për “Drejtësinë”. Tërhiqet nga vendet e rezervuara, por…

06/07/2016 00:00

Më 24 qershor opozita i ka dërguar mazhorancës një formulë të re kompromisi për reformën në drejtësi, duke hequr dorë nga formula e vendeve të rezervuara. Por Lulzim Basha e lexon heshtjen e këtyre dy javëve si një provë të re se Edi Rama kërkon dështimin e reformës në drejtësi.

“Argumenti sigurisht është frika që Edi Rama ka nga një reformë e vërtetë dhe përgatitja që bën për të dështuar këtë reformë, me qëllim që më 21 korrik të drejtojë gishtin nga opozita. Gishtin ia ka prerë Bilali me shokë. Nëse ka bërë plan të shkojë në zgjedhje të parakohshme me këtë kalë beteje, i them se e ka një gomar të ngordhur”, ka deklaruar Basha.

Gjatë këtyre dy javëve ai që nuk ka heshtur dhe ka kërkuar votë individuale në Parlament për draftin aktual të reformës në drejtësi është ambasadori amerikan. Por e ka kjo formulë e re e opozitës mbështetjen e partnerëve?

“E rëndësishme është që formula jonë është bazuar në dokumentin themelor ndërkombëtar, opinioni final i Venecias, mbi të cilin nuk mund të ketë asnjë institucion tjetër”, ka thënë Basha.

Formula e opozitës parashikon ngritjen e një komisioni ad hoc parlamentar me 12 deputetë, me përfaqësim të barabartë të palëve. Ky komision përzgjedh me votë të fshehtë kandidatët e organeve të vetingut, që vijnë si propozim nga Gjykata Kushtetuese.

Formula e re që opozita e përshkruan si zbatim të rekomandimit 88 të Venecias i jep operacionit ndërkombëtar të monitorimit rol vëzhgues dhe jo vendimmarrës, siç e ka në draftin zyrtar.

“Jo, opozita nuk ka vendosur asnjëherë që operacioni ndërkombëtar i monitorimit të ketë kompetenca që nuk i jepë Venecia. Ne kemi qenë për kompetenca që Venecia ia njeh komisionit të monitorimit dhe për këto do të qëndrojmë deri në fund”, ka nënvizuar Basha.

Mbi tryezat e negocimit është edhe një formulim tjetër. Ai është një propozim i mazhorancës që quhet vota e vetme e transferueshme, ku deputetët rendisin kandidatët sipas preferencës.

Votat plus të kandidatit të parë dhe votat e kandidatit të fundit u transferohen kandidatëve të renditur më lart derisa të arrihet pragu i nevojshëm i votave dhe plotësohen të gjitha vendet. Por Lulzim Basha thotë se këtë formulë opozita e ka hedhur poshtë dy herë.

“Është propozim i rrëzuar nga opozita më 17 shkurt me shkrim dhe gjatë takimit tim të 6 qershorit në mënyrë të argumentuar, sepse është një metodë me potencial të lartë korruptimi, pa transparencë dhe tepër i ndërlikuar për kushtet dhe proceset që propozohet”, ka thënë Basha.

Qëndrimin e vetë Partia Demokratike e ka koordinuar edhe me aleatët, në takimin e të cilëve ka marrë pjesë edhe deputeti Nard Ndoka, i cili konfirmoi për Top Channel se do të votojë vetëm një reformë konsensuale.

Top Channel