Forcat e Armatosura, misionet jashtë vendit tani me buxhet shqiptar

06/07/2016 00:00

Forcat e Armatosura shqiptare tani janë të barabarta me forcat e vendeve të tjera të NATOS jo vetëm nga kapacitet profesionale dhe fizike, por edhe ato buxhetore.

Për herë të parë misionet ku do të marrin pjesë Forcat e Armatosura shqiptare, armatimet, mjetet e deri tek pagesat e ushtarakëve do të përballohen nga buxheit i shtetit.

Këtë fakt e bëri publik ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, në një bashkëbisedim me gazetarët në prag të Samitit të NATO-s në Varshavë.

“Paratë janë 100 për qind tonat. Përgjithësisht më parë kemi shkuar me paratë e të tjerëve, të atyre që kanë qenë në komandë të misionit tonë. Sot gjithçka, duke filluar nga transporti strategjik, pajimet, armatimi, municioni e përgatitja është bërë me paratë e taksapaguesve shqiptarë”, deklaroi Kodheli.

Samiti i Varshavës, i cili vjen në një moment delikat sa i takon sigurisë jo vetëm në Europë por në mbarë globin, pritet të përcaktojë drejtimet dhe qëndrimet e vendeve të Aleancës jo vetëm për Lindjen e Mesme por edhe për Rusinë. 

Top Channel