FBI-ja “shfajësoi” Clintonin. Trump: Ka për të qenë presidente shumë e keqe

06/07/2016 00:00

I nominuari i supozuar i Partisë Republikane, Donald Trump e akuzoi demokraten Hillari Clinton për fshehtësi e sjellje jo të ligjshme, pak pasi FBI-ja e thirri ish-Sekretaren e Shtetit për pyetje lidhur me çështjen e shumëpërfolur të “e-mail”-eve të klasifikuara dhe përdorimit të serverit privat gjatë kohës që ishte në detyrë.

Drejtori i Byrosë Federale të Hetimit, James Comey deklaroi një ditë më parë se nuk ekzistojnë arsye për të ngritur akuza penale ndaj Clintonit. Hetuesit, – sqaroi ai, – kanë lexuar të 30 mijë “e-mail”-et që ish-kryediplomatja i kishte dorëzuar Departamentit të Shtetit në vitin 2014, vetëm 110 prej të cilave përmbanin informacione të klasifikuara.

Comey e pranoi se është e mundur që persona me synime armiqësore të mund të kishin pasur qasje në llogarinë e saj personale të “e-mail”-it, por nuk u gjetën prova se Clinton të ketë fshirë qëllimisht “e-mail”-et e saj.

Qëndrimi i tij, për Trumpin ishte në fakt shfajësim i ish-Sekretares së Shtetit dhe zhveshje nga përgjegjësitë.

“Ata pretendojnë se ajo thjesht ka qenë shumë e pakujdesshme, por unë sinqerisht do të thoja se është treguar fare e paaftë. Njerëz, ajo ka për të qenë një presidente shumë e keqe”, tha manjati i pasurive të paluajtshme.

Për Trumpin, vendimi i FBI-së për të mos rekomanduar ngritjen e akuzave ndaj Hillary Clintonit është prova më e qartë deri më tani se, sistemi në vend është tërësisht i manipuluar. Përdorimi i serverit privat në kohën kur ishte Sekretare Shteti e vuri të gjithë Amerikën në rrezik, – tha Trump. – Të gjithë e dinin që ishte fajtore, por në fund asgjë nuk ndodh.

Clinton dhe Trump janë të përzgjedhurit ende jozyrtarë të Partisë Demokrate dhe asaj Republikane për zgjedhjet presidenciale të muajit nëntor.

Top Channel