SHBA, tjetër vrasje e personave me ngjyrë. Protesta dhe indinjatë në Louisiana

06/07/2016 00:00

Protestat kanë shpërthyer në shtetin amerikan të Louisianës, pasi është publikuar një video ku shfaqen dy oficerë të bardhë policie të ndalojnë dhe të qëllojnë për vdekje një shtetas me ngjyrë.

Incidenti ka ndodhur në kryeqytetin e shtetit, Baton Rouge, gjatë së martës, pas raportimeve se një person po kërcënonte njerëzit me armë zjarri jashtë një dyqani.

Ekzaminimet pas vdekjes treguan se viktima, 37-vjeçari Alton Sterling, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit në gjoks dhe në shpinë.

Protestat kanë bllokuar rrugët kryesore pranë vendit të grumbullimit. Edhe pse ata 200 vetë të mbledhur për të protestuar u larguan nga policia, organizatorët thonë se do të rimblidhen përpara bashkisë së qytetit.

Incidenti më i fundit vjen në një kohë tensionesh gjithnjë në rritje në Shtetet e Bashkuara mbi vdekjet e afro-amerikanëve me ngjyrë pikërisht nga duart e policisë. Në SHBA regjistrohen mbi 1.000 të vdekur nga të shtënat e policisë çdo vit, një shifër tejet në disproporcion me amerikanët me ngjyrë.

Zëdhënësja e policisë, L’Jean McKneely tha se oficerët ishin thirrur për ndihmë pas raportimeve se një person që shiste CD jashtë një dyqani shitjesh me pakicë kishte kërcënuar dikë me armë. Ajo shtoi se dy oficerët e përfshirë në këtë incident janë pezulluar nga detyra, një procedurë standarde kjo.

Sterling, baba i 5 fëmijëve, ndërroi jetë në vendngjarje. Ndërsa nga pamjet e publikuara vetëm disa orë pas vrasjes, oficerët shihen teksa përleshen me personin e dyshuar në një parking makinash.

“Oficerët e ulën në tokë personin dhe më pas dëgjohen grindje të vazhdueshme me fjalë”, tha zëdhënësja. “Më pas dëgjohen 3 të shtëna, sërish dy të shtëna të tjera ‘të mbytura’ dhe më pas dëgjohet dikush të thotë se ai kishte një armë gjatë kësaj përleshjeje”.

Lule dhe mesazhe të shumta janë lënë në skenën e ngjarjes. Ndërkohë, kongresmeni i Louisianës, Cedric Richmond, përmes një deklarate tha se të shtënat përbënin një “tragjedi”, duke shtuar se familja e viktimës dhe rezidentët e Baton Rouge “meritojnë shpjegime, ndaj dhe këtë do të përpiqemi të kërkojmë”.

Top Channel