Rey Manaj pranë largimit nga Interi, qëndron në Serinë A

06/07/2016 00:00

Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Interi dhe klubi abrucez kanë arritur marrëveshjen për transferimin e sulmuesit të talentuar shqiptar te Pescara.

Edhe pse në orët e fundit ishte folur për një transferim të 19-vjecarit jashtë Italisë, në fund Manaj vendosi ta vazhdojë karrierën te skuadra e sapongjitur në Serinë A, që drejtohet nga trajneri Massimo Oddo.

Nga një interesim i thjeshtë, në pak orë drejtuesit e Pescarës kanë lëvizur konkretisht për të marrë shërbimet e 19-vjecarit dhe në fund falë raporteve shumë të mira që ekzistojnë mes klubit zikaltër dhe atij abrucez, është arritur marrëveshja për transferimin e sulmuesit shqiptar në stadiumin Adriatico.

Lojtari do të tranferohet te Pescara në formë huazimi pa të drejtë blerjeje, formulë kjo që të lë të kuptosh se trajneri Roberto Mancini dhe drejtuesit e Interit besojnë shumë te Manaj dhe e cilësojnë kuqeziun si pjesë të rëndësishme për të ardhmen.

Fillimisht dëshira e lojtarit dhe menaxherit të tij ishte për një eksperiencë jashtë Italisë, por i bindur nga ideja për të treguar vlerat në një kampionat si Serie A, Manaj zgjodhi Pescarën. Që të zyrtarizohet kalimi i djaloshit të lindur në Lushnje te klubi abrucez pritet vetëm firma mbi kontratë që do të vijë në orët e ardhshme.

Top Channel