Ngjyrat e Tiranës, në Itali

05/07/2016 00:00

Helidon Gjergji ka çuar fasadat e Tiranës në Muzeun e Artit “Pino Pascali” në Itali. Ekspozita është çelur më 2 korrik, duke e kthyer prapa artistin në vitin 2000. Ajo ishte periudha e ndryshimeve, jo vetëm për faktin që kryeqyteti rifitoi ngjyrat e humbura, por sidomos për impaktin që pati në psikologjinë e individëve, pas brumosjes me artin e realizmit socialist.

“Për mua ishte një ngjarje shumë e rëndësishme, sepse shumica e ndërhyrjeve që ishin bërë deri në atë moment ishin kryer nga artistë të huaj që vinin nga jashtë. Doja të bëja një punë që vinte në mënyrë sipërfaqësore, siç është në të vërtetë domethënia e projektit në vetvete. Është të shkosh përtej fasadës, të ngjallësh shpresën te njerëzit”, thotë Helidon Gjergji, artist pamor.

Ky ndikim nuk kishte vetëm qëllim artistik. Pas tij u zhvillua një debat i gjatë, që nuk përfshinte vetëm pikëpamjen estetike.

“Aty fillon shpresa, kur ke mundësinë për të diskutuar diçka dhe jo të dorëzohesh dhe të thuash po shkoj në një vend tjetër”, tha më tej Gjergji.

Megjithatë ndikimi që pati nuk ishte i pakët. Në atë kohë, Edi Rama u shpall kryebashkiaku i botës për vitin 2004, por kjo ndikoi gjithashtu edhe me identifikimin e një vendi të vogël nëpërmjet ngjyrave, duke nxitur shpesh edhe turizmin.

“Njihet nga njerëzit e thjeshtë si projekti i fasadave. Pra bëhet edhe një element i turizmit”, deklaron Helidon Gjergji.

Përveç videos së fasadave “@” (at), Helidon Gjergji përfaqësohet në “Pino Pascali” me një përzgjedhje të disa veprave të tij, duke nxitur reflektimin nëpërmjet artit.

“E bukura e artit sot është se, është i lirë që të shkojë në drejtime të ndryshme”, përfundon Helidon Gjergji, artist pamor.

Top Channel