Masakra e Stambollit, shkon në 30 numri i të akuzuarve. Mes tyre 11 të huaj

05/07/2016 00:00

Turqia ka ngarkuar me akuza penale edhe 17 të dyshuar të tjerë, 11 prej të cilëve të huaj, pas sulmeve terroriste që shkaktuan një masakër të vërtetë në Aeroportin “Ataturk” të Stambollit gjatë muajit të kaluar.

Numri i të arrestuarve ka shkuar tashmë në 30 në lidhje me sulmet vdekjeprurëse, të cilat lanë 44 persona të vdekur dhe plagosën 240 të tjerë.

Të dyshuarit kryesorë janë akuzuar tashmë për përfshirje në terrorizëm, bëri të ditur agjencia e lajmeve “Dogan”.

Turqia beson se pas sulmit qëndron i ashtuquajturi “Shtet Islamik”, ndërsa mes kamikazëve tashmë janë identifikuar një shtetas rus nga Kaukazi Verior, një uzbekistanas dhe një kirgistanas.

Sa u përket të akuzuarve, gjatë së dielës u ngarkuan penalisht 13 shtetas, mes të cilëve 3 të huaj.

Organizatori i sulmeve është tashmë i njohur dhe mediet turke e kanë identifikuar atë si Akhmeed Chatayev, një çeçen që besohet të ketë vepruar si rekrutues i ISIS-it. Megjithatë, ende nuk dihet se ku fshihet ai momentalisht.

Një faqe interneti ruse, “Kommersant”, bëri të ditur se ai gëzon statusin e refugjatit të lëshuar nga Austria, ndërkohë që mendohet të ketë humbur njërën prej gjymtyrëve të sipërme gjatë luftimeve në rajonin e trazuar të Rusisë, Kaukazi Verior.

Top Channel