Gjermania, Muller: Jam i fokusuar te triumfi me skuadrën, jo te golat

05/07/2016 00:00

Pavarësisht dështimit të mistershëm të tij për të shënuar qoftë edhe një gol të vetëm në këtë kampionat europian që po zhvillohet në Francë, sulmuesi i Gjermanisë Thomas Muller nuk sheh ndonjë arsye për të ndryshuar sjellje përpara gjysmëfinales së të enjtes ndaj vet organizatorëve, në “Stade Velodrome” të Marsejës.

Muller 26-vjeçar, i cili kontribuoi me 9 gola në 9 ndeshje kualifikuese për “Euro 2016”-n, ka humbur një sërë rastesh të pastra në 5 ndeshjet e zhvilluara deri më tani, duke shtuar edhe më tej rekordin e “të mbeturit thatë” që prej “Euro 2012”. Sulmuesi i Bayern Munchen nuk arriti madje të shënonte as nga pika e bardhë e 11-metërshit, në fitoren me penallti ndaj Italisë në çerekfinale, aty ku u gjuatën nga 9 penallti për secilën skuadër gjatë së shtunës.

Këtë të martë, Muller është parë i qetë në bazën stërvitore të Evian-les-Bains, ndërkohë që ka refuzuar t’i japë më shumë rëndësi nga sa duhet mungesës së golave në repertorin e tij.

“Golat nuk janë adrenalina ime, ndoshta mund të jenë pikturat në makinën time. Ato vizatime speciale që e bëjnë atë të duket e bukur”, tha me ironi Muller. “Faktikisht, adrenalina ime është etja për suksese, pikërisht për të arritur diçka të paharrueshme së bashku me skuadrën. Kemi ardhur deri këtu si kampionë të botës në fuqi, ndërsa spanjollët ia dolën pak vite më parë që të fitonin trofetë njëri pas tjetrit, një arritje që nuk mund të përsëritet çdo ditë. Ndaj, adrenalina ime është pikërisht fokusi për një arritje të tillë”, ka shtuar më tej lojtari i Bayernit dhe kombëtares së Gjermanisë.

Gjermania vet do të përpiqet të rivalizojë Francën dhe Spanjën, dy ekipe që kanë mundur në të shkuarën të fitojnë një Botëror dhe një Europian radhazi. “Gjelat” e Francës e kanë bërë këtë në vitin 2000 duke fituar Europianin e atij viti, vetëm dy vite pasi kishin ngritur trofeun e Kupës së Botës në 1998-n si vend organizator. Ndërkohë Spanja, duke fituar “Euro 2012” arriti të siguronte trofeun e tretë madhor radhazi, pikërisht të dytin Europian (2008, 2012) dhe një Botëror (2010).

Top Channel