Veliaj shërben drekën e Fiter Bajramit për njerëzit në nevojë

05/07/2016 00:00

Në ditën e Bajramit, kryetari i Bashkisë së Tiranës i premtoi njerëzve në nevojë se do të hapë të tjera mensa sociale në Tiranë. Duke shërbyer drekën në mensën e Laprakës, Veliaj tha se bashkia do të shtojë vëmendjen e saj për këtë kategori njerëzish.

“Dua që, ashtu siç hapëm këtë mensë sociale apo mensën tjetër në Kombinat, të vijojmë me hapjen e mensave të tjera sociale që askush në Tiranë të mos e ngrysë ditën pa ngrënë një vakt të ngrohtë. Do të doja shumë që ky muaj solidariteti, muaji i Ramazanit, të vazhdojë në të gjitha ditët e vitit, sepse kemi nevojë për solidaritet edhe në 11 muajt e tjerë”, tha Veliaj.

“Do të përkushtohemi që të jemi aty për çdo familje në nevojë dhe dua t’u bëj thirrje atyre qytetarëve që i kanë mundësitë; nëse dikush ka mundësi të ndihmojë fqinjin e tij, një të afërm, një të njohur, është shumë e rëndësishme që secili ta marrë detyrën e bujarisë dhe ndihmës ndaj tjetrit, pa pritur urdhrin apo komandën e shtetit, qeverisë apo Bashkisë”, shtoi Veliaj.

Duke i uruar të gjithëve Bajramin, Veliaj u shpreh se, puna më e rëndësishme për një bashki nuk janë llaçi, tullat, asfalti, por puna me njerëzit.

Top Channel