Francë, gjobitet tabloidi që publikoi fotot e Hollande me partneren Gayet

05/07/2016 00:00

Një gjykatë franceze ka vendosur ta shpallë fajtore një media të shkruar për shkelje privatësie, për shkak se publikoi fotot e paautorizuara të Presidentit Francois Hollande dhe partneres së tij, aktores Julie Gayet, teksa qëndronin të ulur në një verandë të pallatit presidencial “Elysee”.

Gjykata e Nanterre, në periferi të Parisit, dënoi botuesin e tabloidit “Voici”, Rolf Heinz, me një gjobë prej 1.500 eurosh si dhe 1 euro për dëmtim imazhi ndaj Gayet, si dhe urdhëroi publikimin e vendimit të dënimit në gjysmën e kopertinës së revistës.

E përjavshmja në fjalë i publikoi fotot në nëntor të vitit 2014, vetëm pak muaj pasi një tjetër tabloid kishte zbuluar se Hollande kishte një marrëdhënie të jashtëligjshme me Gayet, teksa vijonte të jetonte si çift partnerësh me Valerie Trierweiler.

Edhe pse marrëdhënia e tij me Trierweiler mori fund pas këtij zbulimi, Hollande nuk e bëri kurrë një çështje zyrtare marrëdhënien e tij me Gayet.

Top Channel