Në prag të Olimpiadës, policia e Rio de Janeiros: S’mbrojmë dot askënd

05/07/2016 00:00

Lojërat Olimpike janë pak javë larg, ndërsa qyteti mikpritës Rio de Janeiro është në krizë. Dhuna ka shënuar rritje, ndërsa oficerët e policisë po përballen me qeverinë, pasi pretendojnë se nuk paguhen prej muajsh.

Në këtë situatë, mesazhi i policisë së Rios për turistët nuk mund të ishte më i qartë: Ne nuk ju mbrojmë dot!

Javën e kaluar, policët në Rio treguan zemërimin e tyre me një parrulë jashtë aeroportit të qytetit, ku shkruhej: Mirësevini në ferr! Në të shkruhej gjithashtu se, meqë policët dhe zjarrfikësit nuk paguhen, kushdo që vjen në Rio nuk do të jetë i sigurtë.

Nuk bëhet fjalë vetëm për ata që vijnë nga jashtë, por edhe banorët lokalë po e humbasin durimin. Njerëzit që jetojnë në lagjet e varfëra thonë se, autoritetet ushtrojnë dhunë mbi ta sa herë që ka evenimente të tilla, që t’i trembin në mënyrë që të rrinë urtë. Kjo bëhet me qëllim që, të huajt që do të vijnë të mos e kuptojnë dhe të mos shohin faktin se Rio është në kaos.

Zërave të tyre iu shtua edhe kryebashkiaku i Rios, Eduardo Paes, i cili deklaroi për mediet se shteti po bën një punë shumë të keqe përsa i takon sigurisë për Olimpiadën. Paes tha se shteti po dështon plotësisht në përgjegjësinë e tij për të ruajtur rendin dhe për t’u kujdesur për njerëzit.

Ndërkohë, oficerë policie duke ruajtur anonimatin deklaruan për CNN-in se kanë parë kolegët e tyre të vdesin vetëm për të ruajtur imazhin e Rios, e jo njerëzit e tij.

Top Channel