Austri, caktohet data e përsëritjes së zgjedhjeve presidenciale

05/07/2016 00:00

Kancelari austriak, Christian Kern ka bërë të ditur se zgjedhjet e reja presidenciale, apo më saktë përsëritja e atyre të fundit, do të mbahen më 2 tetor. Ky mbetet një propozim gjithsesi, pasi data duhet të miratohet nga Parlamenti për t’u zyrtarizuar. E megjithatë kjo mbetet thjesht një formalitet.

Votimet e 22 majit u anuluan javën e kaluar, pas një sfide ligjore që i bëri Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë. Ata u ankuan me argumente se votat postare rezultonin të paligjshme dhe ishin menaxhuar jo në mënyrën e përshtatshme.

Kandidati i ekstremit të djathtë, Norbert Hofer humbi zgjedhjet ndaj kreut të “Të gjelbërve”, Alexander Van der Bellen, me një diferencë tepër të vogël votash. Më konkretisht, Hofer siguroi 30 mijë e 863 vota më pak sesa rivali i tij, gjë që e përkthyer në përqindje do të thotë më pak se 1 pikë përqindjeje pas atij që u shpall fillimisht fitues.

Partia e Lirisë dorëzoi një padi ligjore me anë të të cilit kontestonte rezultatin në Gjykatën Kushtetuese të Austrisë, një sfidë që rezultoi e suksesshme për ekstremistët.

Pas dy javësh dëgjimesh në seancat gjyqësore, ekstremi i djathtë argumentoi se votat postare ishin menaxhuar në mënyrë të jashtëligjshme në 94 nga 117 qarqe, ndërkohë që me mijëra vota ishin hapur më herët nga sa ishte e lejueshme nga rregullat zgjedhore, ndërsa disa të tjera ishin numëruar nga persona të paautorizuar për ta bërë diçka të tillë. Partia e Lirisë pretendoi gjithashtu se kishte prova, që disa minorenë nën 16 vjeç dhe të huaj ishin lejuar të votonin.

Top Channel