Tsipras: “Grexit” e kemi lënë pas; kryeministri grek, marrëveshje në Pekin

05/07/2016 00:00

Kryeministri grek Aleksis Tsipras u takua me presidentin kinez Xi Jinping në vazhdën e vizitës pesëditore në vendin aziatik, të nisur të shtunën me ftesë të homologut Li Keqiang.

Tsipras dhe Li u bënë dëshmitarë të firmosjes së një seri marrëveshjesh bilaterale, në të cilat përfshihen ujdi ekonomike, tregtare e të bashkëpunimit në fushën e turizmit.

Ata morën pjesë edhe në forumin e biznesit Greqi-Kinë, ku Tsipras tha se do të ruhet bashkëpunimi i mirë i Britanisë së Madhe edhe pas votës së Brexit.

Më pas, në një intervistë televizive, kreu i ekzekutivit grek u shpreh se Athina e mirëpret forcimin e bashkëpunimit me Kinën, sidomos sa i takon investimeve në infrastrukturë.

“Greqia po del nga një periudhë e zgjatur krize dhe vështirësish të medha, por mendoj se e keqja më e madhe kaloi. Populli grek tregoi shumë durim e rezistencë dhe skenaret e pakëndshme për një “Grexit” të mundshëm tashmë janë lënë pas krahëve”, deklaroi Tsipras.

“Pekinin dhe Shangain unë po i vizitoj pas arritjes së një marrëveshjeje të rëndësishme dypalëshe, e cila sinjalizon përfshirjen e kompanisë kineze COSCO në portin e Pireut. Në këtë mënyrë, ky port do të ngrihet në nivelin e një nyjeje ndërkombëtare transporti. Qeveria greke synon ta kthejë këtë në fillimin e një bashkëpunimi strategjik shumëplanësh me Kinën. Pas portit të Pireut, objektivi ynë do të jetë forcimi i konstruksioneve hekurudhore në të gjithë kufirin tonë verior”, tha kryeministri grek.

Në intervistë Tsipras shtoi se pret që ekonomia greke të ecë më mirë në 2017-n, kjo falë Eurogroupit, që pranoi të siguronte këstin e radhës së dorëzanisë për shtetin helen e të reduktonte një pjesë të borxheve të tij në vitin 2018.

Top Channel