Liberalizohet tregu i energjisë, nga 1 korriku bizneset e blejnë vetë

05/07/2016 00:00

Shqipëria ka nisur zyrtarisht liberalizimin e tregut të energjisë. Kjo do të thotë se deri në fund të vitit të ardhshëm, mbi 5 mijë biznese nuk do të furnizohen më nga OSHEE, por do e blejnë energjinë në tregun e lirë.

“Në korrik janë klientët e lidhur për 35 kw, që janë dhe më të mëdhenjtë dhe më të paktë në numër. Në janar 2017 janë klientët me 20 kw që përbëjnë pjesën më të madhe të biznesit dhe gjatë pjesës tjetër të vitit janë bizneset me nga 6 deri në 10 kw”, deklaron Entela Çipa nga Ministria e Energjisë.

Bizneset do ta blejnë energjinë nga kompanitë privatë të liçencuara nga Enti Rregullator. Ndërsa për shërbimin e shpërndarjes do t’i paguajnë OSHE-së një tarifë prej 1.5 lekë për kilovat orë.

“Ata lidhin një kontratë të re me një furnizues të liçencuar nga ERE. Janë rreth 80 të liçencuarit. Pra, klienti paguan çmimin e transmetimit, çmimin e shpërndarjes dhe energjinë që blihet nga burime të brendshme ose të jashtme”, sqaron Çipa.

Por a është gati rrjeti i energjisë që të mundësojë furnizimin e pavarur të këtyre bizneseve? “Rrrjeti është i gatshëm dhe aksesi i garantuar. Me konjukturat në tregun e energjisë, që ka një rënie të çmimit në bursa, favorizohen klientët shqiptarë që do të dalin në tregun e parregulluar”, shton Çipa.

Sipas të dhënave të qeverisë, bizneset që do të dalin në tregun e lirë zënë aktualisht 15 për qind të konsumit total.

Top Channel