Historiani turk fyen Skënderbeun, reagime të forta kundër tij

05/07/2016 00:00

Kanë shkaktuar reagime të forta fjalët e historianit apo ciceronit turk Talha Ugurluel, i cili gjatë një shëtitje në prill të këtij viti në Shkodër dhe muze, memorialin e Skënderbeut në Lezhë ka denigruar figurën e heroit tonë kombëtar, madje duke e krahasuar atë me terroristët e partisë komuniste kurde.

“Vetëm Skënderbeu e tradhtoi Perandorinë Osmane dhe doli në mal. Jetoi si një plaçkitës dhe vdiq. Atë njeri e pagëzoi dhe Papa. Flamuri i tij sot është flamuri i Shqipërisë. Sot, ai tregohet si lideri më i madh i shqiptarëve. Skënderbeu ka jetuar për shumë vite në malet e Krujës, ka qenë bandit dhe kusar. Ka sulmuar rreth 30 herë ushtrinë e Perandorisë. Sot disa nacionalistë shqiptarë e hiperbolizojnë këtë gjë. Zbriste nga mali me disa ushtarë të vet, vriste burra, gra, fëmijë të pambrojtur dhe ikte. Këtë, ai dhe ata e quajnë si luftë ndaj osmanllinjve. Jo, është njësoj me atë që bëjnë terroristet kurd sot në vendin tonë, të cilët vrasin 2-3 vetë dhe kujtojnë se çfarë kanë bërë. Ai ka bërë të njëjtën gjë si PKK, sulmo nga mali dhe ik, sulmo dhe ik”, ka thënë turku.

Historiani turk ka marrë pjesë në një udhëtim të një grupi shtetasish turq në Shqipëri. Video me komentet negative është hequr nga “Youtube” për shkak të gjuhës së përdorur, ndërsa një peticion për shpalljen e tij non grata në Shqipëri është në proces e sipër.

Talha Ugurluel është i njohur në vendin e tij sepse udhëtonte në vendet që kanë qenë të pushtuar nga ish-Perandoria Osmane dhe tregon historinë e tyre sipas një variant shumë fyes.

Top Channel