Hetimet për grabitjen, verifikim edhe institucioneve

05/07/2016 00:00

Prokuroria e Krujës, përveç drejtuesve dhe agjentëve të kompanisë së sigurisë brenda perimetrit të aeroportit të Rinasit, ICTS, po heton edhe institucionet e Aviacionit Civil, Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Transporteve në lidhje me mosreagimin e tyre pas testeve të fshehta, që konstatuan probleme serioze të nivelit të sigurisë në aeroport.

Pavarësisht faktit që Aviacioni Civil dhe policia kanë shkëmbyer letra dhe raporte me komapnine konçesionare të aeroportit dhe kompanisë së sigurisë ICTS, ku e sinjalizonin për problemet, ky fakt cilësohet i pamjaftueshëm nga prokuroria.

Sipas kësaj të fundit, si Aviacioni Civil, edhe Policia dhe Ministria e Transportit janë isntitucione shtetërore që paguhen nga taksat e qytetarëve dhe si të tilla puna e tyre nuk mund të përfundojë vetëm në konstatimin e problemit, por edhe në denoncimin e tij.

Aq më tepër kur bëhet fjalë për cënim serioz të sigurisë në një objekt të rëndësisë së veçantë siç është aeroporti i vetëm ndërkombëtar në vend, institucionet e lartëpërmendura nuk duhej të mjaftoheshin vetëm me shkëmbimin e problematikës mes njëri-tjetrit, por duhej të kishin bërë edhe denoncimet për secilin nga rastet e konstatuara.

Për këtë arsye, Prokuroria e Krujës ka nisur verifikimin konkret të problematikave të konstatuara nga testet e fshehta dhe reagimin e institucioneve që janë vënë në dijeni të shkeljeve dhe cënimit të sigurisë.

Top Channel