PPP edhe në siguri, institucionet e rëndësishme ruhen nga privatët

05/07/2016 00:00

Në Shqipëri operojnë më shumë se 200 shoqëri private të ruajtjes fizike, të cilat kanë të punësuar rreth 9 mijë persona.

Për kryetarin e Unionit të policive private, Veli Myftari, ngjarja në aeroportin e Rinasit kërkon një analizë të thellë duke përfshirë të gjithë aktorët. Ndonëse kompania ICTS zotëron një status të veçantë, Myftari citon ligjin e ri të vitit 2014 për shërbimin privat të sigurisë fizike.

“Nuk mund të flitet për masa drastike vetëm me arrestimin e disa personave. Duhet të mbahet një qëndrim i fortë ndaj kompanisë që ka përgjegjësinë, deri në heqjen e liçencës. Në ligjin e fundit të vitit 2014 thuhet se, në dy vërejtje që mund t’i bëhet një kompanie përkatëse duhet të përfshihet heqja e liçencës”, deklaron Myftari.

Por ligji ka dhe probleme. Kur kanë kaluar më shumë se 2 vite nga hartimi i tij, ende nuk ka dalë një akt normativ që i lejon policitë private t’i trajnojnë vetë punonjësit e tyre.

“Po marr Akademinë e Sigurisë. Atje pati një ndërprerje të trajnimeve në një kohë të caktuar sepse edhe ajo ka ngarkesën e vetë. Ndaj të tjera kompani kanë përgatitur kushtet për të qenë gati, kanë bërë ambjentet dhe personelin”, vijon Myftari.

Sipas tij, pas grabitjes së Rinasit, Unioni i shoqërive private të ruajtjes fizike do të mblidhet së bashku me Komitetin e Sigurisë së Bankave për të marrë masat e nevojshme që ngjarje të tilla të rënda të mos përsëriten. 

Top Channel