Kërcënimi rus, Stoltenberg: Në fokus të Samitit të Varshavës

05/07/2016 00:00

Në daljen e fundit për mediat përpara nisjes së punimeve të Samitit të Varshavës, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka bërë publike axhendën se ku do fokusohen diskutimet, si dhe vendimet e rëndësishme që priten të merren, ku pad yshim theksi do të vendoset tek forcim i kufijve në pjesën lindore të Aleancës, përballë kërcënimeve që vijnë nga Rusia.

“Samiti i Varshavës që do të mbahet këtë javë vjen në një moment përcaktues për sigurinë tonë, me kërcënime dhe sfida nga shumë drejtime. Në përgjigje të samitit tonë të fundit në Uells, ne shpalosim planin për përforcimin më të madh të mbrojtjes kolektive të NATO-s që prej Luftës së Ftohtë. Ne do të vendosim 4 batalione ndërkombëtare në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni. Përshëndes njoftimin e bërë nga Kanadaja, e cila ka vendosur të drejtojë një nga batalionet bashkë me Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Mbrojtja jonë kolektive përfshin shumë më tepër. Ne do të biem dakord për të zhvilluar edhe praninë në jug-lindje, me një brigadë ndërkombëtare që do të vendoset në Rumani”, ka deklaruar Stoltenberg.

Megjithatë, Stoltenberg ka nënvizuar se Aleanca mbetet e hapur për bisedime me Rusinë.

“Ne jemi gati të mbajmë një takim me Rusinë përpara samitit, por edhe për një pas samitit. Për mua nuk ka rëndësi se kur mbahet takimi, por fakti që ai të mbahet. Aktualisht ne jemi në bisedime me autoritetet ruse lidhur me modalitetet, axhendën dhe kohën ekzakte të mbajtjes së takimit të ardhshëm të Keshillit NATO-Rusi. Ende nuk ka një marrëveshje, por jemi në rrugë të mbarë”, ka thënë Stoltenberg.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s u fokusua dhe në disa çështje të tjera me rëndësi, siç është mbrojtja kibernetike dhe projektimi i stabilitetit përtej kufijve të Aleancës, duke përmendur këtu vijimin e ndihmës për trajnimin e forcave irakene si dhe përfshirjen e avionin të NATO-s që kryen fluturime vëzhguese dhe faktmbledhëse, të cilat më pas do t’i dërgohen Koalicionit Ndërkombëtar anti-ISIS.

Top Channel