Fiter Bajrami në Kosovë, Tërnava dënon ekstremizmin

05/07/2016 00:00

“Islami ka të bëjë me dashurinë, mëshirën e paqen, dhe çdo krim në emër të fesë është i pafalshëm”.

Ishte ky mesazhi që përcolli myftiu i Kosovës, Naim Tërnava me rastin e festës së Fiter Bajramit, e cila nisi me faljen e namazit në Xhaminë e Madhe.

“Çdo sulm me prapavijë fetare i kryer nga kushdo qoftë ndaj njerëzve të pafajshëm direkt dëmton fenë në të cilën thirret krimineli. Feja islame urdhëron në dashuri, mëshirë e paqe mes njerëzve, terrori është e kundërta e fesë islame, mësimeve të saja, është mizori e cila qon në gjakderdhje të njerëzve të pafajshëm duke përfshirë të gjitha format e anarkisë dhe terrorit që godasin sigurinë, qetësinë dhe paqen”, u shpreh myftiu.

Për herë të parë, 17 vjet pas luftës, namazi i Fiter Bajramit është falur edhe nga banorët shqiptarë në veri të Kosovës. Mbi 200 besimtarë u mblodhën në sheshin Adem Jashari në “lagjen e boshnjakëve”.

Falja u zhvillua nën masa të shtuara të sigurisë, ku përveç pjesëtarëve të policisë së rajonit të veriut, ka pasur edhe pjesëtarë të KFOR-it, si dhe karabinierë italianë.

Myftiu Tërnava priti sot krerët politik të vendit, të cilët përcollën urimet për të gjithë qytetarët dhe përçuan mesazhin e forcimit të harmonisë ndërfetare në vend. Fiter Bajramit shënon mbylljen e muajit te shenjtë të Ramazanit që në Islam njihet si muaji i përkushtimit ndaj Allahut.

Top Channel