SHBA feston Ditën e Pavarësisë, spektakël fishekzjarrësh

05/07/2016 00:00

Amerika e kremtoi festen e saj të Pavarësisë me një spektakël madhështor fishekzjarrësh në National Mall të Uashington DC-së.

Zona e gjerë e hapur në perëndim të Kapitolit u mbush nga mijëra vetë, të cilët nuk u zmbrapsën nga shiu i lehtë, por preferuan të lagen për të parë ndërkohë fishekzjarrët e festes. Gjallërinë e turmës nuk e zbehën as kërcënimet e mundshme të sigurisë, të cilat njerëzit e mbledhur aty i sfiduan me ngjyrat e flamurit, të kuqë, blu e të bardhë.

Eventi i përvitshëm i presidentit për trupat amerikane në këtë datë të rëndësishme për vendin, nuk u organizua këtë herë në Shtëpinë e Bardhë për shkak të shqetësimeve nga moti i keq. Në vend të kësaj, Barack Obama mori pjesë vetëm në një event të vogël brenda ndërtesës, ku ishin thirrur të performonin Kendrick Lamar dhe Janelle Monae. Kreu i shtetit i kërkoi njerëzve të mbledhur të këndonin bashkë me të këngën e ditëlindjes së vajzës së tij të madhe, Malia.

Për ndër të festes amerikane, edhe statuja e famshme e Krishtit shpëtimtar në Rio de Janeiro të Brazilit  u vesh në ngjyrat e flamurit të Shteteve të Bashkuara, çka entuziazmoi turistët e huaj. 4 korriku është ditë feste kombëtare në Amerikën që shënon në këtë datë shpalljen e pavarësisë nga Britania në vitin 1776.

Top Channel