Në Spanjë ngrihen dyshime: Renato Sanches është 24 vjeç, jo 18

05/07/2016 00:00

Renato Sanches i ka befasuar të gjithë me paraqitjet fantastike me Portugalinë në Euro 2016, duke qenë një nga lojtarët më të mirë, madje ka arritur të shënojë edhe një gol ndaj Polonisë në fazën e 1/4.

Vlerat e lojtarit rriten edhe më shumë kur bëhet fjalë vetëm për një 18-vjeçar. Por tashmë janë ngritur edhe dyshime në lidhje me moshën e tij, të cilat nuk janë të parat. Gazeta spanjolle “AS”, citon trajnerin francez Guy Roux. “Ai pretendon se është 18 vjeç, por duhet të shikojmë në të kaluarën. Unë mund të them me siguri që ai është 23 ose 24 vjeç”. Dyshime mbi moshën e lojtarin janë ngritur edhe më parë nga përfaqësues të Sportingut të Lisbonës, në kohën kur ai luante me Benfikën.

Renato Sanches është blerë nga Bajerni i Mynihut para fillimit të Europianit për 35 milionë euro, një shifër rekord kjo për një lojtar në moshën e portugezit.

AS shkon edhe më tej, kur shkruan se lojtari është regjistruar 5 vite me vonesë në Lisbonë për shkak të ndarjes së prindërve të tij.

Aktualisht, Sanches pritet të jetë një nga më të rëndësishmit për Portugalinë edhe në ndeshjen gjysmëfinale që kjo kombëtare do të luajë mbrëmjen e së mërkurës ndaj Uellsit.

Top Channel