Festa e Fiter Bajramit në qytetet e Shqipërisë

05/07/2016 00:00

Një muaj nga dita kur besimtarët myslimanë nisën agjërimin e tyre, ata kanë nisur sot festimet për ditën e Fiter Bajramit. Në të gjitha rrethet e Shqipërisë, besimtarët myslimanë festojnë festën më të rëndësishme në kalendarin Islamik. Pas faljes, besimtarët festojnë në familjet e tyre, por edhe në ambiente të përbashkëta sipas traditës.

Shkodër – Ashtu si në çdo pjesë të vendit, festa e Fiter Bajramit ka nisur me faljen e mëngjesit ku me qindra besimtarë kanë kryer ritin e faljes në rrugën kryesore të qytetit pranë xhamisë Ebu Beker.

Myftiu i Shkodrës, Muhamet Syrtari, në fjalën e tij ndër të tjera uroi besimtarët mysliman në këtë ditë të veçantë dhe falenderoi gjithë ato që sakrifikuan për një muaj në emër të krijuesit.

Ndërkohë, drejtues të pushtetit lokal  dhe  qytetarë të shumtë kanë nisur vizita tek Myftina e Shkodrës ku i kanë uruar festën drejtuesve.

Korçë – Festa si çdo vit ka nisur në orën 6:30 të mëngjesit, kur në ambientet e Xhamisë së Re në Korçë qindra besimtarë janë mbledhur së bashku për të kryer faljen e Namazit dhe për të uruar simbolikisht paqe dhe dashuri mes njëri-tjetrit.

Elbasan – Rreth 3 mijë besimtarë falën Fiter Bajramin në bulevardin “Aqif Pasha” në qytetin e Elbasanit. Myftiu i këtij qyteti Agim Duka përshëndeti besimtarët dhe uroi për Paqe e Begati në çdo familje shqiptare .Myftiu Duka u shpreh para besimtarëve  se e kemi lutur Zotin e Lartësuar  në këtë muaj që sot në ditën e madhe të Fiter Bajramit të jemi më të mirë, më të dobishëm dhe më kontribuues. Ky muaj,  tha Myftiu i Elbasanit, ka qenë edhe muaji i lutjeve tona për të gjithë myslimanët në botë për integritetin e tyre fizik dhe shpirtëror.

Myftiu i Elbasanit ja drejtoi lutjet e tij viktimave qe sot terrorizmi po shkakton ne bote. Ai kërkoi me lutje që çdo njeri te distancohet nga ekstremizmi i dhunshëm.

“Shoqëria jonë prej kohësh po vuan krizën ekonomike, krizën e vlerave, krizën e drejtësisë, krizën e mendjeve të sëmura kriminale që sot po shkakton dëme të paimagjinueshme njerëzore”, tha myftiu i Elbasanit.

Bulqizë – Edhe në rrethin e Bulqizës qindra besimtare myslimanë, mëngjesin e sotëm kryen ritet për faljen e Fiter Bajramit. Ndryshe nga herët e tjera, falja e Fiter Bajramit është kryer në pedonalen e qytetit të Bulqizës. Riti i faljes u drejtua nga Imami i Xhamisë së Bulqizës, Andi Topi ku u shpreh se “sot është dita e besimit të brengave, dita e shpresave të reja, është dita e të kujtuarit për njeri-tjetrin, dita e një jete të re, e pendesës për gabimet, e projekteve dhe veprave të mira. Dita kur meritë, hatërmbetjet, xhelozia dhe smira marrin fund. Bajrami është solidarizim me mbarë shoqërinë. Zoti e ka veçuar Bajramin si moment gëzimi, prandaj neve na takon ta vlerësojmë në këtë mënyrë”, u shpreh Imami  i Xhamisë, Andi Topi.

Top Channel