“Zuckerbergu” shqiptar në Itali

04/07/2016 00:00

Në moshën 16-vjeçare u arratis nga Shqipëria. Si shumë të tjerë edhe ai kërkonte një jetë më të mirë, larg varfërisë.

Synonte të shkonte në Londër dhe mori rrugën për në Itali, por në Milano karabinierët e kapën dhe e çuan në një komunitet për minorenët.

Ishte viti 2008 dhe djaloshi nuk u dekurajua. Ai kërkoi menjëherë të punonte, edhe falas, fillimisht si banakier në një lokal e më pas në një dyqan kompjuterësh. Pikërisht këtu nisi të kultivonte, duke studiuar i vetëm, pasionin për informatikën.

Sot, 7 vjet më pas, shqiptari Uljan Sharka ia ka arritur qëllimit. Kompania e themeluar prej tij, iGenius, e saposhpallur në Festivalin e Inovacionit në Kanë si një nga më premtueset në botë, po has një sukses gjithnjë e në rritje. Bëhet fjalë për një kompani që zhvillon projekte elektronike për bizneset e vogla e të mesme.

Tetë muaj më parë, Uljani ishte i vetëm, ndërsa sot 25 të rinj punojnë për të dhe ai vazhdon të zgjerojë personelin. Zgjedh kryesisht inxhinierë, fiton 1 milionë euro dhe sapo ka gjetur një financim prej thuajse 1.5 milionësh nga dy menaxherë që janë impresionuar nga idetë e tij. Uljani punon 7 ditë në 7, i ngjitur pas kompjuterit 20 orë në ditë.

“Në Shqipëri nuk po gjeja hapësira. Që në moshën 13-vjeçare punoja për të mbajtur veten dhe në të njëjtën kohë ndiqja shkollën”, tregon ai për “Corriere della Sera”.

Vazhdoi kështu edhe për 3 vjet, kur ndërpreu gjimnazin në vitin e dytë për t’u larguar. “Doja të krijoja diçka madhështore dhe timen dhe në Shqipëri nuk kisha mundësi ta bëja”, rrëfehet ai.

Në Itali, në statusin e klandestinit, nuk hezitoi të fillonte punë dhe në vitin 2012, me kursimet e tij krijoi iGenius. Klientët mendonin se në “zyrën” e tij punonin shumë njerëz, por ishte vetëm ai, që punonte si teknik, si financier dhe si konsulent.

Atëherë “zyra” ishte vetëm një apartament me dy dhoma ku ai jetonte, por sot gjërat kanë ndryshuar.

“Po përgatitemi të hapim zyra në Londër dhe San Francisko. Sot kompania vlerësohet 25 milionë, por duhet të katërfishohemi brenda një viti dhe synojmë të bëhemi start up-i i parë italian”, thotë krahu i djathtë i Uljanit, Gregorio Cutelle.

Dhe projektet e shqiptarit vazhdojnë. Ai i radhës quhet “crystal” dhe mund të revolucionarizojë botën e marketingut dixhital, me potenciale të ngjashme me ato të Facebook. Ndaj, kush e njeh mirë Uljanin në zanatin e tij nuk druhet ta krahasojë me Mark Zuckerbger.

Top Channel