Fati është një tjetër gjë dhe pasioni e këmbëngulja për ta sfiduar atë kur është i keq, është gjë tjetër. Një vajzë nga Elbasani ia ka dalë të mundë atë që jeta i ofroi. Edhe pse e verbër, ajo arriti të studiojë dhe të diplomohet për pjano.

Ajo është shembulli i pastër që pasioni thyen çdo kufi. Vasilika Duli ka lindur e verbër. Megjithatë ky fakt asnjëherë nuk e pengoi që të ndjekë ëndrrën e saj për t’u bërë pianiste. E ka nisur pianon në moshën 12 vjeçare dhe vetëm para pak kohësh ka dhënë koncertin e diplomimit duke i surprizuar të gjithë, jo vetëm me talentin, por sidomos me vullnetin e brendshëm.

“Nisi si argëtim për mua, pastaj u kthye në dëshirë, pasion. Shkurtin e kaluar u diplomova dhe më 24 maj bëra edhe një recital në Akademinë e Arteve. Në fillim kisha pak emocione, nëse do t’ia dilja apo jo, bëra një sfidë me veten dhe në fund ja dola”, tregon Vasilika.

Tashmë e diplomuar, ajo është rikthyer në qytetin e saj të lindjes në Elbasan, nga ku shpreson për një punë. Edhe pse është e vetëdijshme për vështirësitë që do ta shoqërojnë.

“Sigurisht që më i rëndësishëm është punësimi. Mendoj se do të ketë shumë vështirësi, por shpresoj t’ia dalë”.

Sot, ajo ka ëndrra të tjera, i pëlqen të duket bukur si çdo vajzë dhe t’ia dalë të kapërcejë fazat e jetës, të fitojë pavarësinë nga familja. E vetëdijshme që vullneti nuk i mungon. Ashtu siç edhe partiturat i ka përshtatur një për një për gjendjen e saj fizike, për t’i lexuar me gishta.

“Unë vazhdoj edhe tani që kam mbaruar, po përgatitem për koncerte të tjera dhe po i shkruaj vet këto pjesë”, thotë Vasilika.

Vasilika njeh nëpërmjet instikteve, realizon, por mbi të gjitha ndien dhe do.

Top Channel