Rezultatet e maturës, Malaj: Dalin të dielën. Më pas aplikimet në universitete

04/07/2016 00:00

Në 10 korrik pritet të dalin rezultatet përfundimtare të Maturës Shtetërore, ndërkohë që Ministria e Arsimit është duke përgatitur udhëzimin për fazën e dytë, atë të aplikimit të maturantëve në universitete.

“Në 10 korrik çdo maturant do të marrë edhe dokumentacionin përkatës bashkë me certifikatën e notave dhe listën. Maturantët tashmë në këto 10 ditë kanë mundësi të bëjnë përllogaritjen e të gjitha notave që ata kanë marrë, një shumatore edhe për tre vite sa ka shkuar nota mesatare dhe provimet e maturës sa kanë shkuar dhe shuma e notës mesatare të tre viteve dhe të maturës, e cila pjestohet për dy, duke nxjerrë notën mesatare që ata do të hynë në garë”, shprehet Nora Malaj zëvendëseministre e Arsimit.

Rreth 7 mijë maturantë që do të aplikojnë për të ndjekur studimet e larta jashtë vendit do të kenë një kohë më të shkurtër për të përgatitut dokumentacionin, por Malaj thekson se ata do të kenë prioritet në mënyrë që të kapin afatet e kërkuara. Ndërkohë për në universitetet tonë do të aplikojnë vetëm ata që kanë një notë mesatare mbi 6. Ata nën këtë notë mund të ndjekin dy vjeçarët pas mature.

“Dhe ata maturantë, të cilët nuk arrijnë të kapin notën mesatare 6, kanë të drejtë të bëjnë aplikimin në sistemin dual, i cili është sistem mbas maturës shtetërore. Kjo do të thotë se të gjithë ata që duan të marrin një specialitet mund të hynë dhe të vazhdojnë shkollën dy vjeçare, shkollë pas mature”, thotë Malaj.

Për të aplikuar për studimet e larta, maturantët  do të mund të aplikojnë online, ndërkohë që për  mënyrën se si do të aplikojnë duhet të informohen në faqen online të Ministrisë së Arsimit, universiteteve dhe agjencisë kombëtare të provimeve.

Top Channel