Të dalësh në pension, fillimi i një jete tjetër

04/07/2016 00:00

Dita e fundit e punës për Lindita Qafokun, infermiere kirurgjie prej 25 vitesh në këtë qendër shëndetësore. Pas 44 vitesh punë të pandërprerë në sistemin shëndetësor, tashmë ajo po bëhet gati për daljen në pension.

Ajo ka mjekuar me mijëra pacientë, të cilëve dhimbjen e plagëve u është munduar t’ua zbehë sa më shumë.

Energjia dhe profesionalizmi i saj njihet nga të gjithë. Por në veçanti koleget janë ato që janë prekur më së shumti nga dalja në pension e Linditës.

“Tek ajo shikoj një zonjë të vërtetë, një infermiere të përkushtuar, është e palodhur. Ajo i shërben me kënaqësi pacientëve. Dalja e saj në pension do të ndihet këtu. Do të na mungojë shumë të gjithëve. Këtu jemi bërë si të shtëpisë”, shprehen koleget.

Ato kanë edhe disa këshilla për t’i dhënë. “Duke parë natyrën e saj aktive, të gjallë, do t’i këshilloja të jetë aktive gjithmonë. Të mos i bjerë morali. Ta vijë sërish te ne, ta kemi pjesë tonën”.

Ndryshe nga trishtimi në qendrën shëndetësore, dalja në pension e Linditës i ka lumturuar disa njerëz. Në veçanti Soljandën, të bijën dhe fëmijët e saj, Emin dhe Orgisin.

“Pension të mbarë, të duam shumë”, urojnë koleget.

Top Channel