Sulmi në Bangladesh, dy të arrestuar; autoritet: S’kanë lidhje me ISIS

04/07/2016 00:00

Dy persona janë arrestuar lidhur me sulmin e disa ditëve më parë në Daka të Bangladeshit, ku humbën jetën 20 persona.

Një nga të arrestuarit është një prej atentatorëve, ndërsa tjetri një person që fillimisht ishte trajtuar si një prej pengjeve të shpëtuara ditën e premte.

Ndërkohë, nga hetimet ka dalë në dritë se njëri nga atentatorët ishte djali i një deputeti të partisë në pushtet. I ashtuquajturi Shteti Islamik deklaroi se ishte pas sulmit, por qeveria në Daka e mohon këtë.

Personi që më parë mendohej se ishte një nga pengjet u ndalua pas mbikëqyrjes së pamjeve të sulmit të filmuara nga një dëshmitar, i ndodhur në një ndërtesë pranë vendit të ngjarjes.

Autritetet kanë deklaruar se pamjet lënë të besohet se personi mund të jetë i lidhur me atentatorët. Ndërsa i arrestuari tjetër, djali i politikanit, ishte shpallur i humbur nga prindërit pasi ishte zhdukur që prej dhjetorit.

Ata e njohën fëmijën e tyre pasi fotografitë e agresorëve u publikuan në rrjetet sociale. Autoritetet lokale ndërkohë i kanë identifikuar të pestë ata dhe deklarojnë se i përkasin grupit Muxheheidinët e Bangladeshit.

“Ata janë anëtarë të organizatës JMB, nuk kanë lidhje me Shtetin Islamik”, ka deklaruar ministri i Brendshëm Asaduzzaman Khan.

Por ajo që u ka bërë përshtypje autoriteteve është se të rinjtë vinin nga familje të kamura. Pak orë pas identifikimit të tyre, rrjetet sociale janë mbushur me komentet e shokëve të klasës, që shprehen të habitur për veprimet e 5 të rinjve.

Top Channel